Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetin social X kundër vendimeve të gjykatave për ish-magjistratët e larguar nga vettingu.
Sipas tij, gjykatat kanë dhënë deri tani 92 raste në favor të tyre, duke u dhënë një trajtim financiar prej rreth 12 milionë eurosh nga buxheti i shtetit.
Në postimin e tij, Rama shkruan: "A e dini se gjykatat kanë dhënë deri më tani 92 raste në favor të llumit të pastruar nga vetingu, duke u dhënë një trajtim financiar prej rreth 12 milionë Eurosh nga buxheti i shtetit – pra duke i trajtuar jo si fajtorë, po si viktima që duhen dëmshpërblyer?! Akoma më keq, këto vendime gjykatash janë dhënë me urdhër ekzekutimi pa marrë vendimin e formës së prerë (në Gjykatën Administrative të Apelit), duke e detyruar ISSH-në që nga fondi i pensioneve të kryejë pagesat për shkak të vendimit me ekzekutim! Dhe ndërkohë, radha për të marrë lekë nga taksat vazhdon edhe përtej këtij numri 92, që do të thotë se ato 12 milionët mund të shkojnë shumë më tepër… Kjo quhet pavarësi e papërgjegjshme!"
Rama thekson se numri i rasteve mund të rritet, duke e çuar shifrën financiare përtej 12 milionë eurove.
Reagimi vjen pas shtyrjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve, ku trupa kërkoi kohë shtesë për shqyrtim. Shoqata e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve po zhvillojnë procese gjyqësore për rritjen e pagave.
Përditësime
Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të mos pranojë kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash mbi nivelet e vendeve të BE-së. Ai e quajti këtë rritje 'njollë e turpit', që do të kushtojë 37 milionë euro në vit buxhetit të shtetit.