Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me kundërshtitë publike ndaj projektit të planifikuar për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e Zvërnecit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai solli si model suksesi resortin Costa Navarino në Greqi, duke theksuar se paragjykimet shoqërojnë çdo nismë të madhe zhvillimore.
Sipas kreut të qeverisë, edhe projekti në Greqi u përball fillimisht me peticione, protesta dhe paralajmërime për katastrofë mjedisore, shkatërrim të biodiversitetit dhe betonizim të peizazhit. Rama theksoi se sot Costa Navarino është shndërruar në një ndër destinacionet më prestigjioze të Europës, duke gjeneruar miliarda euro dhe mijëra vende pune.
Në argumentimin e tij, kryeministri përmendi tregues të performancës mjedisore të këtij resorti, si ulja me 75% e emetimeve operacionale të karbonit në krahasim me vitin 2019, si dhe riciklimi i mbi 185 mijë metrave kub ujë gjatë vitit 2024.
Në anën tjetër, kundërshtarët e projektit në Shqipëri kanë paralajmëruar vazhdimin e tubimeve, me thirrje për anulimin e ndërtimit në zonën e mbrojtur. Organizatorët kanë njoftuar mbledhje të reja para Kryeministrisë, duke theksuar se qëndrimi i tyre mbetet kundër ndërhyrjeve në natyrë. Nga ana e tij, Rama sqaroi se projekti në Zvërnec ende nuk ka hyrë në fazën përfundimtare, duke nënvizuar se zhvillimi ekonomik nuk mund të refuzohet pa u analizuar projektet në detaje.