Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka udhëzuar drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe disa ministra për intensifikimin e komunikimit me qytetarët. Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, fokusi i diskutimit ka qenë strategjia e ndjekur në përgjigje të protestave që po përfshijnë kryeqytetin.
Prej 24 ditësh, protestuesit grumbullohen në sheshin “Skënderbej”, nga ku zhvillojnë marshime drejt institucionit të Kryeministrisë dhe rrugëve të tjera të Tiranës. Në këtë kontekst, Rama ka kërkuar një prezencë të shtuar të deputetëve në terren, me synimin për të dëgjuar dhe për t’iu dhënë përgjigje shqetësimeve të qytetarëve.