Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestave që po mbahen për të pestën ditë me radhë para Kryeministrisë në Tiranë. Qytetarë dhe aktivistë kërkojnë anulimin e projektit të resortit luksoz në Zvërnec dhe dorëheqjen e kreut të qeverisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama publikoi një video nga hoteli Porto Montenegro në Mal të Zi, duke e cilësuar atë si një histori suksesi. Ai përdori këtë shembull për të kritikuar vendimmarrjet e së kaluarës në Shqipëri, të cilat sipas tij kanë bërë që vendi të humbasë mundësi të ngjashme zhvillimi për shkak të atyre që i etiketoi si “honxhobonxho”.
Kryeministri la të kuptohet se projekti i planifikuar në Zvërnec do të vijojë, pavarësisht kundërshtimeve. “Ta harrojnë të gjithë ata që thonë se nuk na duan, se nuk na kalon prapë huq topi i historisë së Shqipërisë së Re Europiane”, deklaroi Rama në mesazhin e tij.
Përditësime
Gjatë vizitës në Malin e Zi, Kryeministri Edi Rama theksoi se projekti turistik Porto Montenegro iu propozua fillimisht Shqipërisë, por u refuzua nga autoritetet e kohës. Rama e përmendi këtë rast si shembull të mundësive të humbura për zhvillimin ekonomik, duke e cilësuar shtetin fqinj si një model të suksesshëm investimesh në rajon.