Edi Rama, kryeministër dhe kryetar i Partisë Socialiste, ka dhënë udhëzime deputetëve, ministrave dhe drejtuesve politikë për nisjen e takimeve me qytetarët në të gjitha bashkitë e vendit, nën sloganin “Punët e Shqipërisë”. Ky tur do të zgjasë 9 javë dhe do të kulmojë më 12 qershor, në përvjetorin e 35-të të Partisë Socialiste.
Fokusi fillestar i takimeve është integrimi europian i Shqipërisë, i lidhur me zhvillimin ekonomik, rritjen e pagave dhe nisma të tjera qeveritare. Kryebashkiakët e majtë pritet të japin llogari para qytetarëve për premtimet e bëra dhe realizimet konkrete, në prag të kërkimit të një mandati të ri në zgjedhjet vendore.
Në takimet e brendshme, deputetët kanë ngritur shqetësime për çështje që lidhen me pronat dhe përmbylljen e hartave digjitale. Edi Rama ka kërkuar nga bashkitë hartimin e planeve të qarta për procesin e legalizimeve, si dhe t’i jepet fund punësimeve nepotike në administratë.
Në një takim me dyer të mbyllura, kryeministri ka theksuar nevojën që përfaqësuesit e majtë të jenë më aktivë në media dhe rrjetet sociale.