Ky artikull është përditësuar. Shiko përditësimet
Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje të ndodhura gjatë ditëve të fundit në komuna të ndryshme të vendit, përfshirë Prishtinën, Deçanin, Malishevën, Rahovecin, Gjilanin dhe Pejën.
Raste në Prishtinë
Në Prishtinë, pas një mosmarrëveshjeje familjare, një mashkull kosovar dyshohet se ka sulmuar fizikisht vëllain e tij. Viktima nuk ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati dhe rasti është në fazën e hetimeve.
Rastet në Deçan
Në Deçan janë raportuar dy raste të dhunës në familje. Në njërin rast, një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshjeje. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar për procedurë të rregullt.
Rastet në Malishevë
Në Malishevë janë shënuar katër raste të ndara të dhunës në familje. Në njërin rast, një grua me nënshtetësi të huaj dyshohet se është dhunuar fizikisht dhe psikikisht nga bashkëshorti i saj pas një konflikti verbal. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në rastin tjetër, një mashkull kosovar i cili dyshohet se ka probleme mentale ka demoluar gjësende në shtëpi. Ai është arrestuar dhe dërguar për trajtim mjekësor nën masën e ndalimit 48 orësh.
Në Malishevë janë raportuar edhe dy raste të tjera. Në njërin rast, i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari dërguar në mbajtje.
Në rastin tjetër më të fundit, ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar policinë se djali i tij i dyshuari mashkull kosovar i ka shkaktuar dhunë psikike. Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti, ndërsa i dyshuari është në kërkim nga policia.
Rasti në Rahovec
Në Rahovec është raportuar një rast i kanosjes në kuadër të dhunës në familje, ku një mashkull kosovar dyshohet se ka kërcënuar ish-bashkëshorten e tij përmes rrjeteve sociale. Policia njofton se rasti është në fazën e hetimeve.
Rastet në Gjilan dhe Pejë
Në Gjilan, një i dyshuari mashkull kosovar është arrestuar pasi që i njëjti ka sulmuar djalin e tij dhe më pas ka kanosur vëllain e tij i cili ka ndërhyrë. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Pejë, një i dyshuari mashkull kosovar është arrestuar nën dyshimin se ka shkaktuar dhunë në familjen e tij duke rrahur bashkëshorten e tij. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë tretman mjekësor. Me kërkesën e saj, ajo bashkë me tre fëmijët e tyre është dërguar tek familja e saj. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Apel i policisë
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që çdo rast të dhunës në familje ta raportojnë menjëherë, duke theksuar se dhuna mbetet vepër penale dhe trajtohet me prioritet nga institucionet e rendit.
Përditësim
Policia e Kosovës raportoi raste të reja të dhunës në familje në disa komuna.
Rastet e reja:
- Në Prishtinë më 9 janar 2026, arrestohet një mashkull përr dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe dërgohet në mbajtje.
- Në Prishtinë më 6 janar 2026, bashkëshorti dhe prindi i tij ushtrojnë dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas; viktima trajtohet mjekësisht dhe lirohet në procedurë të rregullt.
- Në Lipjan më 9 janar 2026, bashkëshorti ushtron dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas dhe vajzës; lirim në procedurë të rregullt.
- Në Klinë më 9 janar 2026, bashkëshorti sulmon fizikisht gruan; lirim në procedurë të rregullt.
Zhvillimet në Malishevë:
- Për rastin e 6 janarit 2026, autoritetet arrestuan dhe dërguan në mbajtje të dyshuarin më 9 janar.
- Për rastin e 8 janarit 2026, arrestim përr dhunë dhe kanosje, me dërgim në mbajtje më 9 janar.