Klubi i Real Madridit nuk do të tentojë transferimin e futbollistit francez Michael Olise gjatë kësaj vere. Pavarësisht vlerësimit të lartë që presidenti Florentino Perez ka për lojtarin, gjiganti spanjoll ka njoftuar Bayern Munichun se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të prishë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy klubeve, veçanërisht pasi kampioni i Gjermanisë e konsideron 24-vjeçarin të paprekshëm.
Drejtori sportiv i Bayern Munich, Christoph Freund, ka hedhur poshtë kategorikisht mundësinë e largimit të lojtarit. Gjatë një prononcimi për mediat, ai deklaroi se çështja e kalimit të Olises te Real Madridi nuk është aspak në rendin e ditës për klubin bavarez.
"Kjo nuk është aspak temë për ne", u tha Freund gazetarëve. "Jemi të kënaqur që Michael Olise është kthyer nga pushimet. Ai do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm te Bayern Munich këtë sezon, ashtu si edicionin e kaluar", ku lojtari shënoi 22 gola dhe kontribuoi me 26 asistime në të gjitha garat.
Pas dështimit të kësaj piste për verën aktuale, vëmendja e drejtuesve të Real Madridit është zhvendosur tërësisht te afrimi i anësorit të RB Leipzig, Yan Diomande, për të cilin negociatat po përparojnë sipas planeve. Megjithatë, klubi madrilen mbetet i interesuar për situatën afatgjatë të Olises dhe nuk përjashtohet mundësia e një rikthimi në garë nëse Bayern Munich do të hapë derën për negociata në të ardhmen.