Sektori i shërbimeve, konkretisht baret dhe restorantet, po përballet me një tkurrje të ndjeshme të konsumit gjatë këtij sezoni veror. Pas një rritjeje të shënuar në muajin maj, trendi u përmbys gjatë qershorit, duke shënuar një rënie deri në 35 për qind, ndërsa pritshmëritë për muajin korrik mbeten të vakëta.
Sipas Enri Jahjas, kryetar i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, faktorët që kanë ndikuar në këtë situatë janë të shumtë:
- Hetimet e SPAK-ut: Aksionet e vazhdueshme ndaj grupeve kriminale për pastrim parash kanë ndikuar në sjelljen e një pjese të konsumatorëve që kryenin shpenzime të larta. Këta individë shmangen nga ekspozimi në ambiente publike, gjë që ka reduktuar ndjeshëm qarkullimin në lokalet që frekuentoheshin më parë prej tyre.
- Ofertat all-inclusive: Shtimi i strukturave akomoduese në jug, që ofrojnë shërbim me dy ose tri vakte, ka ndikuar në uljen e kërkesës për dreka dhe darka në restorante, veçanërisht në zonën e Ksamilit.
- Turizmi low-cost: Dominimi i turistëve me buxhet të kufizuar ka ndikuar gjithashtu në totalin e shpenzimeve të kryera në këtë sektor.
Kjo situatë pason një tendencë të ngjashme të vërejtur edhe në tregun e pasurive të paluajtshme. Shoqata konfirmon se fenomeni është i shtrirë në të gjithë vendin, por goditja më e fortë ndjehet në zonat bregdetare, të cilat janë më të ekspozuara ndaj ndryshimeve të flukseve turistike dhe modeleve të shpenzimit.