Aeroporti i Vjenës ka pezulluar përkohësisht operacionet gjatë natës për shkak të reshjeve të dendura të borës në Austri. Kjo ka çuar në anulimin e të paktën 150 fluturimeve dhe vonesa të shumta.
Sipas të dhënave zyrtare të aeroportit, disa fluturime nuk do të kryhen deri rreth mesditës. Edhe pas rifillimit gradual të operacioneve, autoritetet paralajmërojnë për vonesa gjatë gjithë ditës. Gjatë natës ranë rreth 20 centimetra borë, ndërsa shërbimi dimëror punoi pa ndërprerje që nga mbrëmja e së enjtes. Janë larguar rreth 1 mijë kamionë me afro 15 mijë tonë borë nga pistat dhe hapësirat përreth.
Probleme janë regjistruar edhe në trafikun rrugor. Një rrugë e rëndësishme në periferi të Vjenës u mbyll përkohësisht, ndërsa shumë akse në zonat malore u bënë të pakalueshme. Janë raportuar aksidente rrugore dhe pemë të rrëzuara që kanë penguar qarkullimin.
Në provincën e Stirisë, rreth 30 mijë familje mbetën pa energji elektrike për shkak të defekteve në stacionet transformuese. Zjarrfikësit, policia dhe shërbimet e shpëtimit kanë qenë në veprim të vazhdueshëm. Reshjet e borës pritet të ndalen gjatë ditës, ndërsa temperaturat parashikohen të rriten ndjeshëm java e ardhshme.