Reshjet e dendura bore kanë përfshirë qarkun e Dibrës të mërkurën, 21 janar, kryesisht mbi 600 metra lartësi mbi nivelin e detit. Bora nisi herët në mëngjes dhe në zonat malore ka arritur trashësi deri në 15 centimetra, shoqëruar me temperatura deri në -3 gradë Celsius.
Probleme në qarkullim janë raportuar në rrugët rurale dhe veçanërisht në Rrugën e Arbrit, nga Qafë-Buallit drejt Peshkopisë. Situata më e vështirë paraqitet në rrugën nacionale, në zonën e pishave në Fushë-Bulqizë, ku ka borë dhe akull në asfalt. Në tunelin e Qafë-Buallit dhe segmentin Qafë-Buall–Peshkopi mungon kripa, ndërsa disa pjesë kanë akull dhe borë.
Reshje të konsiderueshme bore janë regjistruar në këto njësi administrative:
• Lurë
• Kala e Dodës
• Selishtë
• Zall-Dardhë
• Zall-Reç
• Sllovë
• Trebisht
• Ostren
• Martanesh
Sipas informacioneve zyrtare, nuk ka bllokim qarkullimi nga Ura e Vashës deri te Shkalla e Tujanit. Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të qarkullojnë me goma dimërore dhe zinxhirë, pasi reshjet vazhdojnë me intensitet të lartë.