Anëtarët e Rinisë së Aleancës, të udhëhequr nga kryetarja Albulena Kokollari, janë bërë pjesë e peticionit të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Ky veprim synon mbrojtjen e integritetit të procesit demokratik dhe kërkon përdorim të përgjegjshëm të buxhetit të shtetit.
Mbështetja për këtë nismë është shprehur edhe nga kryetari i kësaj force politike, Ardian Gjini. Sipas tij, shpërndarja e mjeteve financiare nga buxheti i shtetit në prag të zgjedhjeve nuk përbën politikë sociale, por një formë të keqpërdorimit të parasë së qytetarëve me synim ndikimin në votë.
Në deklaratën e tyre zyrtare, përfaqësuesit e Rinisë së Aleancës theksojnë se përdorimi i fondeve publike për përfitime elektorale dëmton drejtpërdrejt demokracinë dhe besimin në institucionet e vendit. Ata kanë kërkuar vendosjen e përgjegjësisë për shkeljet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe abuzimin me fondet publike.
Nëpërmjet këtij angazhimi, organizata rinore u ka bërë thirrje të gjithë të rinjve dhe qytetarëve që t'i bashkohen nënshkrimit të peticionit, duke e konsideruar këtë si një hap drejt forcimit të transparencës, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së vlerave demokratike në Kosovë.