Procesi i rinumërimit të një të tretës së vendvotimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë ka filluar më 13 janar dhe është përfunduar deri tani në 18 komuna, ku janë rinumëruar 262 vendvotime nga gjithsej 914.
Edhe pse rinumërimi mbulon vetëm një të tretë të vendvotimeve, ka dalë një ndryshim i dukshëm në votat për kandidatë deputetë brenda partive politike, që arrin gati 15 mijë vota.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka llogaritur këto ndryshime në një postim në Facebook. Më shumë dallime ka në listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me 7.719 fletëvotime ku vota për kandidatë është modifikuar. Pas saj renditen:
• Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 2.947 vota dallim;
• Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 1.676 vota;
• Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 639 vota.
Cakolli vë në dukje se këto dallime janë substanciale dhe se ndryshimet kryesisht ndodhin në qendrat komunale ku vijnë kandidatët në fjalë.
Në qendrat e numërimit, çdo fletëvotim lexohet me zë të lartë nga një numërues, shfaqet në ekran përmes kamerës, regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër dhe verifikohet nga një person i tretë.
Dyshimet për manipulim fokusohen në fazën e leximit të votave për kandidatë. Në fletëvotimet me votë për një parti, numëruesi mund të ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit, duke e regjistruar votën për një kandidat tjetër, pa ndryshuar numrin e votave për parti.
Përditësime
KQZ ka njoftuar përfundimin e rinumërimit në 19 komuna dhe 316 vendvotime, nga 18 komuna dhe 262 vendvotime më parë. Njoftimi u bë deri në orën 10:00.
Rinumërimi i votave në Kosovë ka përfunduar në pothuajse gjysmën e vendvotimeve të planifikuara.
Në Prizren, ku procesi vazhdon, KQZ ka numëruar 172 nga 235 vendvotime. Kjo komunë udhëheq me numrin e fletëvotimeve me gabime.
Eugen Cakolli deklaroi: "Dallimet janë substanciale dhe origjinojnë nga qendrat komunale."