Gjenerali italian Roberto Vergori ka nisur procesin e tranzicionit për marrjen e detyrës së re në krye të misionit të KFOR-it në Kosovë. Në këtë kuadër, ai është takuar në selinë e KFOR-it, në kampin "Film City" në Prishtinë, me komandantin aktual, gjeneralmajorin Özkan Ulutaş.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ditëve në vijim, dy komandantët do të punojnë së bashku për të garantuar vazhdimësinë e aktiviteteve të misionit dhe për të realizuar një tranzicion të rregullt. Ceremonia zyrtare e dorëzimit të komandës është parashikuar të zhvillohet më 14 tetor 2026 në Shtabin e KFOR-it.
KFOR-i ka theksuar përkushtimin për përmbushjen e mandatit të tij në mënyrë të paanshme, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ky mision mbetet i angazhuar për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë. Për këtë qëllim, misioni vazhdon koordinimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin EULEX, në përputhje me përgjegjësitë e tyre si reagues të sigurisë.