Rodri, mesfushori spanjoll i Manchester City, është denoncuar në Policinë e Manchesterit nga fqinjët në kompleksin rezidencial të Salford-it, pranë Manchesterit. Ankesat lidhen me përdorimin e shpeshtë të një droni pranë dritareve të gratacelëve ku jetojnë banorët.
Fqinjët e akuzojnë futbollistin për mosrespektim të privatësisë dhe ngacmim. Ata kanë raportuar se droni ka fluturuar shumë pranë dritareve të apartamenteve të tyre, duke krijuar shqetësim dhe frikë se mund të jenë filmuar brenda shtëpive. Një banor në katin e 34-të tregoi se ai dhe partnerja e tij panë një dritë të gjelbër jashtë dritares ndërsa shikonin televizor, duke kuptuar se bëhej fjalë për dronin e Rodrit.
Një tjetër banor deklaroi se droni ka qenë vetëm disa metra larg dritares së tij në një kat të lartë. Këto ankesa janë përhapur në grupin WhatsApp të ndërtesës, ku janë publikuar foto të Rodrit duke kontrolluar dronin nga ballkoni. Banorët kanë kontaktuar fillimisht administratën e ndërtesës, pastaj policinë.
Policia e Manchesterit ka konfirmuar se ka marrë ankesën dhe ka nisur hetimet për të verifikuar respektimin e normave të rrepta të aviacionit civil në zonat urbane. Autoritetet do të vlerësojnë nëse ka shkelje të rregullave për privatësinë ose dyshime për voyeurizm. Rodri pritet të merret në pyetje për sqarimin e rrethanave.
Sipas rregullave të Aviacionit Civil të Britanisë së Madhe, pilotët e dronëve duhet të shmangin fluturimet pranë ndërtesave dhe të respektojnë privatësinë e qytetarëve. Deri tani, futbollisti nuk ka bërë komente publike për rastin.
Përditësime
Një banor u ankua në The Sun: “Gruaja ime është shumë e bezdisur. Një avantazh i të jetuarit kaq lart është se askush nuk të shqetëson, por tani po na bezdis Rodri me dronin e tij”.
Në video, droni shihet duke u kthyer drejt tarracës së apartamentit luksoz të Rodrit.
Manchester City nuk ka bërë koment zyrtar.