Analisti Roland Lami ka publikuar një shkrim ku vë në dukje se foltoret e Partisë Demokratike po shtohen gjithnjë e më shumë në kalendar, ndërsa pjesëmarrja po pakësohet gjithnjë e më shumë. Çdo datë e re shpallet me solemnitet, sikur vetë shpallja të jetë suksesi, jo numri i pjesëmarrësve.
Dikur aktivitetet mateshin me njerëz, sot maten me numrin e njoftimeve. Sa më pak njerëz në shesh, aq më shumë thirrje për foltore të reja. Kjo logjikë rrezikon ta kthejë çdo ditë në foltore dhe çdo foltore thjesht në lajm.
Në foltoret e PD, pjesëmarrësit reduktohen, por volumi i zërit shtohet. Lideri kërkon hapësirë për të folur, ku mjafton një grusht njerëzish dhe një altoparlant i fuqishëm për të krijuar iluzionin e normalitetit. Bashkëpunëtorët e ndihmojnë duke mos thënë asgjë, pasi e vërteta shihet si mungesë lojaliteti.
Lami e analizon nga perspektiva frojdiane: Uni kërkon të ruajë figurën e liderit të fortë me njerëz pas vetes, ndërsa Superego-ja, bashkëpunëtorët, nuk guxojnë të flasin. Kështu, vetëbesimi i Ego-s degradon, duke krijuar një realitet të përmbysur ku aktivitetet shtohen, pjesëmarrja bie, por bindja për sukses rritet.
Ironia është se përpjekja për të dëshmuar se nuk është vetëm konfirmon të kundërtën. Tragjedia e vërtetë është kur lideri e beson këtë realitet jo si iluzion.