Deputetja e Partisë Socialiste, Romina Kuko, reagoi lidhur me protestën e së shtunës, ku pjesëmarrësit përdorën simbole si arkivolë, uniforma burgu dhe tortë betoni për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në një prononcim për "Report TV", Kuko vlerësoi se këto pamje i referohen një periudhe që nuk i përket më realitetit shqiptar.
Sipas deputetes, është e domosdoshme të bëhet dallimi mes qytetarëve me kërkesa legjitime dhe atyre që përdorin dhunën për qëllime politike. Ajo theksoi se Shqipëria ka përjetuar dhunën në të kaluarën, duke iu referuar ngjarjeve të shtatorit të vitit 1998, dhe vlerësoi se është në nderin e çdo qytetari të distancohet nga akte të tilla.
Ndër të tjera, Kuko konfirmoi se ka sinjale për një mundësi dialogu mes qeverisë dhe protestuesve. Ajo nënvizoi se prania e qytetarëve në shesh përbën një tregues demokracie, siç ndodh në çdo vend të Europës, por paralajmëroi se duhet bërë kujdes që protestat të mos bien pre e aktorëve që synojnë t'i marrin ato peng.
"Kjo protestë ka krijuar një konflikt social dhe për këtë duhet të jemi koshientë. Tani duhet të ndajmë pjesën e zhurmës nga ata që duan një zgjidhje reale. Mendoj se jemi në rrugën e duhur për një urë komunikimi mes qeverisë dhe protestuesve", u shpreh ajo, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi hapat konkretë të këtij procesi.
Përditësime
Analisti politik Alban Daci e interpretoi simbolikën e arkivolit në protestë si një tregues të krizës së besimit mes qytetarëve dhe qeverisë. Ai kundërshtoi qëndrimin e Rominës Kuko për domosdoshmërinë e dialogut, duke argumentuar se veprimi simbolik dëshmon shkëputjen e plotë të komunikimit mes palëve.