Shqipëria po përjeton rritje të shpejtë të turizmit, por kjo shoqërohet me sfida mjedisore si mbindërtimet dhe erozioni bregdetar, sipas platformës globale Travel and Tour World (TTW).
Në 2024, vendi priti rreth 11.7 milionë turistë të huaj, krahasuar me 10.1 milionë në 2023 dhe 6.4 milionë në 2019. Kjo rritje prej 82% e ka renditur Shqipërinë ndër destinacionet turistike me zhvillim më të shpejtë në botë, sipas Organizatës Botërore e Turizmit e OKB-së.
Vijat bregdetare, çmimet e përballueshme dhe trashëgimia kulturore kanë tërhequr miliona vizitorë. Megjithatë, sektori po zgjerohet me ndërtime intensive, duke ushtruar presion mbi mjedisin bregdetar dhe duke rritur rreziqet e erozionit.
TTW e sheh Shqipërinë si shembull të sfidave për destinacionet e reja: menaxhimi i suksesit turistik pa dëmtuar natyrën dhe cilësinë e zhvillimit. Rritja ka kontribuar në ekonominë shqiptare, por po nxit shqetësime mjedisore dhe sociale.