Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka pretenduar se politika e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, po sjell ndryshime pozitive në qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Përmes një video-mesazhi, Rrustemi vuri në dukje se diskursi i opozitës ka pësuar ndryshim sa i përket trajtimit të krimeve të luftës.
Sipas Rrustemit, ndërsa në të kaluarën zyrtarë të PDK-së kërkonin që krimet e luftës të amnistohen dhe Serbia të falet, tani kjo parti kërkon vazhdimin e arrestimeve. “Politika e Albinit për ta shtrirë sovranitetin në veri po e përmirëson edhe PDK-në. Dikur zyrtarë të PDK-së thonin se për krime lufte Serbia duhet të falet e amnistohet, kurse tash po thonë se arrestimet e serbëve për krime lufte duhet të vazhdojnë”, u shpreh ai.
Në lidhje me proceset e ndjekjes penale, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje theksoi se këto hapa janë të domosdoshëm për drejtësinë në Kosovë. Ai shtoi se arrestimet kanë filluar gjatë mandatit të Qeverisë Kurti dhe se këto veprime do të vijojnë në të ardhmen. “Natyrisht se duhet të vazhdojnë, e për të vazhduar duhej të nisnin. Me Qeverinë Kurti edhe kanë filluar edhe do të vazhdojnë”, deklaroi Rrustemi.