Marco Rubio, sekretar Shteti i SHBA-së, konfirmoi se një dron goditi një parking ngjitur me ndërtesën e konsullatës amerikane në Dubai. Ngjarja ndodhi në një zonë të dendur popullore të qytetit, pranë ambasadës britanike dhe konsullatës saudite.
Sipas deklaratës së tij, droni shkaktoi zjarr në atë zonë pas goditjes. “Kur hyra, pashë raportet e medias në lidhje me konsullatën në Dubai. Përditësimi i fundit që mora, vetëm pak sekonda para se të dilja para kamerave, ishte se një dron goditi një parking ngjitur me ndërtesën e ambasadës dhe më pas shpërtheu një zjarr në atë zonë”, u shpreh Rubio.
Ai theksoi se i gjithë personeli diplomatik është i sigurt dhe është verifikuar. “Siç e dini, ne filluam të tërhiqnim personelin nga strukturat tona diplomatike përpara kësaj”, shtoi Rubio.
Sekretari amerikan deklaroi se “ambasadat dhe objektet diplomatike janë nën sulm të drejtpërdrejtë nga një regjim terrorist”. Deklarata u transmetua fillimisht nga media si NBC News.