Real Madrid humbi 2-1 ndaj Bayern Munich në ndeshjen e parë të çerekfinales së Champions League, të luajtur në shtëpi. Pas disfatës, në kampin madrilen ka nisur analiza e gabimeve.
Mbrojtësi gjerman Antonio Rüdiger nuk kurseu kritikat ndaj skuadrës. Ai deklaroi se humbja erdhi nga gabimet vetjake: "Ua falëm të dy golat Bayernit. Duhet të bëjmë më mirë". Rüdiger iu referua mungesës së përqendrimit në mbrojtje, veçanërisht pas rifillimit të lojës.
Ai nënvizoi se para ndeshjes ishte diskutuar të mos humbnin topa, sepse në këtë nivel është e rrezikshme. Megjithatë, plani nuk u zbatua siç duhet. Në sulm, madrilenët nuk ishin mjaftueshëm konkretë: "Duhej të gjuanim më shumë, por lojtari më i mirë i tyre ishte Manuel Neuer".
Pavarësisht rezultatit negativ, Rüdiger mbetet optimist për sfidën e kthimit. "Kemi ende shpresë ta përmbysim rezultatin në Mynih. Duhet të përmirësohemi dhe të jemi më të përqendruar", tha ai. Ndeshja vendimtare zhvillohet më 15 prill në Allianz Arena, ku Real Madrid synon kualifikimin në gjysmëfinale.