Rudina Alla, drejtuese e Forumit të Gruas Demokrate në Elbasan, e përjashtuar disa ditë më parë nga lista e anëtarëve të Partisë Demokratike (PD), ka reaguar ndaj deputetes Klodiana Çapja në qarkun Elbasan.
Reagimi vjen si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të Çapjës, e cila i ka quajtur tradhtarë të përjashtuarit nga PD Elbasan.
Alla akuzon Çapjën se u zgjodh deputete e pamerituar duke shitur kulla dhe kishte 2 vite pa shkelur në selinë e partisë.
Ajo shkruan se ka qenë pranë PD-së në ditët e mira dhe të këqija, duke përmendur praninë në vitin 2013, kur të tjerët fshiheshin, si dhe pjesëmarrjen në çdo protestë, ku Çapja shfaqej vetëm për foto dhe largohej për kafe me Blerina Boçin.
Alla numëron kontributin e saj në protesta, ku u helmua me tym e gaz, në çadra ku udhëtonte me autobusë plot burra dhe kthehej natën vonë, duke rrezikuar shëndetin, familjen dhe vendin e punës.
Sipas një burimi, ajo përmend edhe rolin në zgjedhjet e 2021-s, si kryetare komisioni në një qendër të rrezikshme, ku u kërcënua me armë në kokë nga mbështetës të Gazment Bardhit dhe u bë medjatike nga një gazetare e njohur.
Alla akuzon PD Elbasan se është kthyer në parti personale, ku vlerësohen miqtë, kushërinjtë dhe të dashurat, ndërsa demokratët e vërtetë anashkalohen.
Ajo shton se ishte turp të trokisje në dyert e selisë, sepse mund t’i kapje në çaste intime.