Sergei Sobyanin, kryebashkiaku i Moskës, bëri të ditur se mbrojtja kundërajrore ruse rrëzoi pesë mjete ajrore pa pilot të dielën, ndërsa ato po i afroheshin kryeqytetit rus.
Sipas deklaratës së publikuar në rrjetet sociale nga Sobyanin, dronët u neutralizuan në zonat periferike, pak para se të arrinin mbi qendrën e Moskës. Deri tani nuk raportohet për dëme materiale apo viktima njerëzore.
Moska ka qenë shpesh në shënjestër të dronëve ukrainas që prej vitit 2022, kur Rusia dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë, duke nisur pushtimin në shkallë të gjerë. Në shumicën e rasteve, sistemet ruse të mbrojtjes ajrore kanë ndaluar këto sulme, duke parandaluar goditje ndaj objektivave strategjike.
Në ditët e fundit, të dyja palët kanë rifilluar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të njëra-tjetrës. Kjo vjen pas përfundimit të një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, i cili synonte ndalimin e goditjeve ndaj objekteve të tilla.