Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi për mediat përpara hyrjes në seancën plenare të datës 23 korrik 2026, se Kuvendi duhet të vetëshkrihet. Sipas Berishës, ky është akti i vetëm i përgjegjshëm për t’i hapur rrugë ndryshimeve që kërkojnë qytetarët dhe rinia shqiptare.
“Parlamenti mblidhet në rrethim! I vetmi akt i përgjegjshëm i tij është të deklarojë fundin e tij, shkrirjen e tij dhe hapjen e rrugës për zgjidhjen që kërkojnë mbarë rinia dhe qytetarët shqiptarë. Çdo akt tjetër është fund e krye i pavlerë”, u shpreh Berisha.
Ndërkohë, jashtë godinës së Parlamentit po vijon një protestë e qytetarëve, të cilët kanë rrethuar godinën duke kërkuar ndryshime politike dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Për të menaxhuar situatën e tensionuar, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa të forta sigurie, duke vendosur gardhe metalike dhe duke mbajtur forca të shumta, përfshirë ato të FNSH-së, në gatishmëri të plotë.
Përditësime
Seanca e fundit plenare u shoqërua me tensione jashtë godinës së Kuvendit, ku protestuesit hodhën vezë në drejtim të saj, ndërsa Policia e Shtetit ndërhyri me ujë për shpërndarjen e turmës. Sali Berisha, i shoqëruar nga Belind Këlliçi dhe Klevis Balliu, hyri në sallë nga porta e Kalasë së Toptanit. Në përputhje me kërkesën e tij për shpërndarjen e Parlamentit, Sali Berisha nuk komentoi mundësinë e djegies së mandateve nga opozita.