Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Centrist Democrat International (IDC-CDI), organizata më e madhe politike e qendrës së djathtë në botë. Në këtë forum, Berisha ushtron detyrën e zëvendëspresidentit.
Asambleja ka mbledhur në Bruksel liderë politikë, ish-presidentë, eurodeputetë dhe përfaqësues të partive anëtare nga Europa, Amerika Latine, Afrika dhe Azia. Pjesëmarrësit po diskutojnë për zhvillimet politike globale, sfidat ndaj demokracisë, forcimin e shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Punimet u hapën nga Presidenti i IDC-CDI, ish-Presidenti i Kolumbisë, Andrés Pastrana, ndërsa raporti i Sekretarit të Përgjithshëm u prezantua nga eurodeputeti Antonio López-Istúriz.
Axhenda e takimit përfshin:
- Fjalime të personaliteteve të larta politike;
- Diskutime në sesionin plenar me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv;
- Miratimin e rezolutave mbi çështjet kryesore të politikës ndërkombëtare.
Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, në cilësinë e zëvendëspresidentit, Berisha është pjesë e drejtimit të punimeve të këtij forumi. Pjesëmarrja e tij rikonfirmon rolin aktiv të partisë në arenën ndërkombëtare dhe angazhimin për forcimin e marrëdhënieve me partnerët që ndajnë vlera të përbashkëta si demokracia, liria dhe shteti i së drejtës.