Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i ftuar në emisionin "Studio24" më 20 prill 2026, komentoi zhvillimet në opozitë dhe protestën e fundit të organizuar nga PD.
Ai vlerësoi se protesta nuk solli asgjë të re në përmbajtje dhe ndikim politik. "Nga ana e përmbajtjes nuk solli asgjë të re kjo protestë. Si reagim ndaj korrupsionit, kriminalizimit etj., skandaleve të ish-zv.kryeministres, AKSHI-t etj., është e domosdoshme. Pritshmëritë e ngritura nga lidershipi, nga zoti Berisha si kryetar, janë të tilla që i ulin vlerën", u shpreh Salianji.
Salianji kritikoi gjuhën politike të përdorur para dhe pas protestës. "Qoftë pritshmëritë nga gjuha para protestës kur thonë se është kilometri i fundit etj., po ashtu edhe gjuha pas protestës, është një gjuhë politike që dëmton në besueshmëri opozitën. Nuk mund të thuhet pas asaj proteste se ‘regjimi u tmerrua’ etj. Duhet të gjejmë një mënyrë tjetër komunikimi dhe ndaj kam dalë në këtë lëvizje duke kërkuar ndryshim edhe në gjuhën politike", tha ai.
Ai shtoi se kryetari aktual i PD-së, Sali Berisha, ka kontributet e veta, por tani është i pamjaftueshëm dhe pengesë për rotacionin politik. "Berisha ka kontributet e veta, por tani është i pamjaftueshëm, madje pengesë për të sjellë rotacionin. Këto protesta tani janë rezistencë për të mos ndryshuar PD", deklaroi Salianji.
Sipas tij, opozita nuk mund të vazhdojë të kërkojë durim pas 13 vitesh në opozitë. "Ne kemi 13 vite në opozitë, nuk duhet durim, duhet nxitim i madh, reagim i fortë, përballje e fortë. Çfarë durimi të kemi ne, kemi 13 vite në opozitë dhe jemi shumë më dobët se më parë", u shpreh ai.
Salianji komentoi edhe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, duke e cilësuar si të dobët dhe duke theksuar se problemet e deformimit të vullnetit të zgjedhësve mbeten të njëjta.