Ervin Salianji, ish-deputet i Partisë Demokratike, i është përgjigjur Sali Berishës, kreut të PD, i cili deklaroi se nuk kandidon përballë tij për shkak se Salianji është vetëpërjashtuar. Reagimi erdhi më 16 janar 2026 përmes një postimi në rrjetet sociale.
Salianji shkruan se askush nuk është mbi Kushtetutën e Partisë Demokratike, të miratuar nga anëtarësia me votë. Ai e cilëson mungesën e seriozitetit ndaj demokratëve që mendojnë ndryshe si "gafë të rëndë" dhe nënvizon se pjesëmarrësit në takimet e tij janë "demokrat 24 karat" që meritojnë respekt dhe mirënjohje.
Sipas Salianjit, Partia Demokratike ka nevojë për qartësi dhe për t’u bërë fituese, si borxh ndaj demokratëve pas 13 vitesh në opozitë dhe pritshmëri e shqiptarëve për rotacion politik. Ai thekson se bashkimi i demokratëve dhe i opozitës rreth PD-së është parashikuar në statut, me përgjegjësi në humbje dhe privilegje në fitore. Kushtetuta e demokratëve nuk përmban "vetëpërjashtime".
Salianji premton të vazhdojë të përfaqësojë shqetësimin e demokratëve për bashkim, dinjitet dhe një PD fituese. Ai fton për takimin e radhës të dielën në Lezhë.
Postimi i plotë i Salianjit:
"Askush nuk është mbi Kushtetutën e Partisë Demokratike, të miratuar nga anëtarësia me votë! Mungesa e seriozitetit ndaj demokratëve të shumtë që mendojnë ndryshe është një gafë e rëndë. Të gjithë pjesëmarrësit në takimet e mia janë demokrat 24 karat. Meritojnë vetëm respekt dhe mirënjohje.
Partia Demokratike ka nevojë për qartësi. Partia Demokratike ka nevojë të bëhet fituese. Këtë ja u ka borxh demokratëve, pas 13 vitesh opozitë. Kjo është pritshmëria e të gjithë shqiptarëve që duan dhe presin rotacionin.
Bashkimi i demokratëve dhe i gjithë opozitës rreth saj duhet të jetë përpjekja më serioze për ta bërë Partinë Demokratike fituese.
Ky qëllim është i parashikuar qartë në statut dhe më përgjegjësi në rast humbjeje dhe privilegje në rast fitoreje. Kushtetuta e demokratëve nuk ka as “vetpërjashtime”.
Do vazhdoj të përfaqësoj pa ndalim dhe me gjithë sa kam shqetësimin real të demokratëve! Vullnetin e tyre për bashkim, për dinjitet dhe për një Parti Demokratike fituese.
Shihemi të Dielën në Lezhë."