Ervin Salianji, ish-deputet i Partisë Demokratike, foli në emisionin "Ditarin e Pasdites" në A2 CNN për protestën e fundit të partisë.
Ai u shpreh i zhgënjyer si demokrat nga mënyra e organizimit të protestave. “Janë një seri protestash ku sakrifica e qytetarëve është absolute, por drejtimi nga lidershipi është pa kokë dhe jo strategjik. Çfarë strategjie ishte xhiroja tek Unaza e Vogël? Duke qenë se nuk po hapet Partia Demokratike dhe nuk po ripërtërihet përmes protestave, duket sikur po kërkohet riciklimi i tyre”, tha Salianji.
Sipas tij, protesta nuk kishte mesazh të qartë, ndërsa kryefjalë u bënë fishekzjarrët dhe molotovët. “Unë kam dalë në protesta për të shuar zërat se nuk po mbështes opozitën. Por protesta nuk kishte asnjë mesazh; në qendër ishin fishekzjarrët dhe molotovët. Nëse do të ketë përplasje, ajo duhet të bëhet me më të madhin, me kryeministrin, pra përpara Kryeministrisë”, deklaroi ai.
Salianji theksoi se përdorimi i molotovëve demotivon një pjesë të qytetarëve dhe e bën PD-në më pak atraktive. “Hedhja e molotovëve i shkon në favor Edi Ramës. Ajo zhvendos vëmendjen dhe krijon përshtypjen se problemi janë molotovët dhe jo skandalet e qeverisë”, përfundoi ai.