Ervin Salianji, ish-deputet i Partisë Demokratike, refuzoi të përgjigjej drejtpërdrejt ndaj pyetjes nëse do të garonte përballë Sali Berishës për drejtimin e PD.
I ftuar në emisionin e Report TV, Salianji u përgjigj me ironi pyetjes se çfarë do të bëjë pas prillit, kur Berisha do të fitojë sërish në krye të partisë. Ai tha se nuk do të ketë garë, pasi kryeministri Edi Rama do të bie, duke qenë se PD është në kilometrin e fundit për rrëzimin e tij.
"Nuk është çështje gare, po e bëj betejën për ta bërë PD fituese. Thelbi është ta bëjmë PD fituese. Cili është interesi? Që të rrijë Rama? Të vijë PD në pushtet, nuk ka një garë në këtë moment. Në këtë moment unë jam në këtë lëvizje. Kjo është faza që unë po takoj demokratët. Ne jemi në kilometrin e fundit, unë pres të bie Rama. Si mund të flas unë për prillin. Ka një muaj që është kilometri i fundit. Nuk ka për të pasur garë se bie Rama. Mund të jenë metrat e fundit, se u bë një muaj. Unë do jem në politikë dhe në PD gjithë kohën", deklaroi Salianji.
Ai theksoi se PD nuk është pronë publike dhe nuk mund të përjashtohet njeri për shkak të mendimit. Në takimet me demokratët janë thënë të vërtetat dhe problemet e partisë, ndërsa sallat janë mbushur më shumë se në rastin e kreut të PD.
Përditësime
Ervin Salianji akuzoi Partinë Demokratike se "i kanë alergji fituesit" dhe nuk vlerëson kontributin e demokratëve. Ai përmendi se partia ka fshehur 5 deputetë të fituar nga lista e hapur, kritikoi mungesën e meritokracisë dhe promovimin e njerëzve të panjohur, si dhe theksoi se nuk mund të bëhet "opozitë selektive".