Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka deklaruar se përshkallëzimi në Lindjen e Mesme, lufta e Izraelit kundër Iranit me mbështetje nga Shtetet e Bashkuara, përbën një "gabim të madh". Ai e cilësoi ndërhyrjen amerikane si të paligjshme dhe paralajmëroi për pasojat që do t'i paguajmë shtrenjtë. Këto deklarata Sánchez i bëri më 6 mars 2026, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij portugez, Luís Montenegro.
Sánchez nënvizoi solidaritetin me Qipron, vend anëtar të Bashkimit Evropian, të cilin e quajti viktimë të këtij konflikti. Spanja do të dërgojë një fregatë në një mision mbrojtës për të ndihmuar Qipron. "Me të njëjtën vendosmëri që themi 'jo luftës në Iran', jemi në solidaritet dhe do të ndihmojmë një vend të Bashkimit Evropian që është viktimë e kësaj lufte", tha ai.
Kryeministri spanjoll bëri thirrje për bashkëpunim mes aleatëve, jo rivalitet. "Le të mbizotërojë bashkëpunimi dhe jo rivaliteti. Kërcënimet dhe akuzat nuk janë rruga e duhur. Mes vendeve aleate është mirë të ndihmohet, por kjo luftë ishte një gabim i madh", deklaroi Sánchez. Ai shtoi se marrëdhëniet midis Madridit dhe Uashingtonit duhet të bazohen në respekt, ligj ndërkombëtar dhe barazi brenda atlantizmit.
Pavarësisht kritikave të ashpra nga presidenti amerikan Donald Trump, Sánchez nuk ka ndryshuar qëndrim. Ai shprehu "respekt të madh për presidencën e Shteteve të Bashkuara dhe admirim për shoqërinë amerikane".
Nga ana e tij, Luís Montenegro theksoi se "kërcënimet dhe akuzat nuk janë rruga e duhur për marrëdhëniet midis aleatëve" dhe se SHBA mbetet një "aleat i pazëvendësueshëm" për Portugalinë.