Mesfushori i njohur spanjoll, Santi Cazorla, i ka dhënë fund karrierës së tij mbi 20-vjeçare si futbollist profesionist. Njoftimi është bërë publik përmes një videoje në platformën X, ku lojtari u shpreh se ndihet i përmbushur që këtë kapitull e mbylli në shtëpi, te skuadra e Real Oviedos.
Karriera e Cazorlas është shquar për sukseset e tij me ekipe të ndryshme evropiane. Pas viteve të para në akademinë e Villarrealit, ai luajti për Recreativon dhe Malagan, ndërsa statusin e legjendës e arriti te Arsenali, ku fitoi dy Kupa FA (2014 dhe 2015). Me fanellën e kombëtares së Spanjës, ai ka shkruar histori duke fituar dy trofe të Kampionatit Evropian (2008 dhe 2012).
Një moment thelbësor në vitet e fundit ishte rikthimi i tij te Real Oviedo në vitin 2023. Klubi asturian vlerësoi kontributin e lojtarit, duke bërë të ditur se Cazorla u kthye duke pranuar pagën minimale të lejuar dhe duke i dhuruar klubit të gjitha të drejtat e imazhit të tij. Ky bashkëpunim u kurorëzua me ngjitjen e ekipit në elitën e futbollit spanjoll, La Liga, gjatë vitit 2025.
Karriera e mesfushorit mbahet mend gjithashtu për forcën e karakterit pas dëmtimit të rëndë në tendinën e Akilit, që e mbajti larg fushave për gati dy vite dhe rrezikoi seriozisht karrierën e tij. Pavarësisht kësaj, ai arriti të rikthehej në nivelet më të larta, duke u shndërruar në një simbol të sakrificës dhe përkushtimit në futboll.