Hermo Schirgi, drejtori operativ i Botërorit 2026, deklaroi se turneu do të mbahet rregullisht pavarësisht konfliktit në Lindjen e Mesme. Deklarata u bë gjatë një konference në Dallas.
Turneu do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada në periudhën qershor-korrik 2026. Schirgi theksoi se përgatitjet janë drejt fazës përfundimtare dhe nuk ekzistojnë rreziqe të veçanta që të çojnë në shtyrje ose anulim.
"Botërori është një event shumë i madh dhe sigurisht që do të zhvillohet", u shpreh ai. Situata globale monitorohet me vëmendje të përditshme, duke punuar ngushtë me partnerët për zgjidhje. Schirgi shprehu shpresën që të gjitha kombëtaret e kualifikuara të marrin pjesë.
Një çështje e paqartë mbetet pjesëmarrja e Iranit. Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se nuk kanë ndërmend të udhëtojnë drejt SHBA-së për turneun.
Schirgi u shpreh optimist për rolin bashkues të eventit. Ai përmendi edicionet në Rusi 2018 dhe Katar 2022 si shembuj ku sporti afroi popujt pavarësisht tensioneve globale. "Do të jetë një mundësi e madhe për të bashkuar njerëzit nga e gjithë bota", përfundoi ai.