Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvillohet sot, më 11 maj 2026, në orën 12:00, seanca e dytë e gjyqit në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta.
Gjyqi në themel nisi më 27 prill, kur gjykata rrëzoi kërkesën e Metës për transmetim drejtpërdrejtë nga mediat. Në fillim të asaj seance, kamerat regjistruan pamjen e Metës për herë të parë në publik, duke treguar një transformim të dukshëm fizik.
SPAK ka marrë si të pandehur Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me aferën CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. Akuzat u komunikuan Metës më 4 gusht 2025. Meta ndodhet në paraburgim që nga tetori 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje periodike.
Dosja përfshin gjithashtu Fatime Kryemadhin, nënën e Monika Kryemadhit, Ema Çukun, mikeshën e saj, si dhe Pirro Xhixhon, ish-kreun e AKEP-it. Këta të pandehur akuzohen kryesisht për pastrim parash dhe korrupsion. Sot gjykata pritet të shprehet për kërkesën e tyre për gjykim të shkurtuar.
Më 4 maj 2026, gjykata la Metën në burg, pavarësisht ofertës së tij për garanci pasurore prej 50 mijë eurosh. Më 24 mars 2026, një kërkesë e ngjashme për lirimin u rrëzua po ashtu nga GJKKO.