Gazeta belgo-holandeze Provinciale Zeeuwse Courant (PZC) raporton se të mërkurën u zhvillua në Anversë seanca gjyqësore për ngjarjen e 16 tetor 2024, ku dy grupe, një shqiptar dhe një belg, u përplasën me armë zjarri në mes të ditës. Shkaku ishte një marrëveshje e prishur për blerjen e 12 kilogramëve kokainë, të ndarë në 12 pako nga 1 kg secila, me çmim 22 000 euro për pako.
Ngjarja ndodhi në rrugën Jezusstraat pranë zonës tregtare Meir. Arsen D., i shoqëruar nga Salvatore P. nga Brukseli, parkoi në parkingun Opera në orën 15:04 dhe shkoi në një apartament me drogën në një çantë sportive. Rreth orës 15:08, pas krismave të plumbave, ata dolën të plagosur: Arsen D. kishte plagë në bark, këmbë dhe krah, ndërsa Salvatore P. në krah dhe këmbë. Në apartament policia gjeti shqiptarin Eno G. të plagosur rëndë, me një plumb që i kishte kaluar përmes faqes dhe dëmtime në të dy mushkëritë. Në tarracë u gjet i fshehur Fabio X., shqiptar i paprekur, bashkë me një pako kokainë.
Prokuroria njofton se u qëlluan të paktën 16 plumba, por nuk mund të përcaktojë kush hapi zjarrin i pari, pasi të gjithë të dyshuarit kishin shenja baruti dhe ishin afër njëri-tjetrit. Akuzat përfshijnë trafik droge dhe tentativë vrasjeje. Për gjashtë të dyshuar prokurori kërkoi dënime nga 4 në 7 vjet burg.
Fabio X. pretendon se vetëm organizoi takimin dhe rrezikon dënimin më të ulët. Ardak G., shqiptar, mbërriti pas të shtënave për të ndihmuar të plagosurit dhe kërkohet 4 vjet burg. Eno G. mohoi se kishte qëlluar, pavarësisht një pistolete FN Browning 7.65 të gjetur pranë tij pa gjurmë ADN-je. Niko M., shqiptar i tretë, nuk u paraqit në gjyq. Grupi belg pretendon se shqiptarët nuk kishin ndërmend të paguanin. Kryebashkiaku De Wever komentoi atëherë se falë Zotit nuk u vranë kalimtarë të rastit.