Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka hedhur poshtë një rezolutë të udhëhequr nga demokratët, e cila kishte për qëllim ndalimin e operacioneve ushtarake kundër Iranit pa një autorizim paraprak nga Kongresi. Rezoluta, e cila kishte marrë më herët miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve, u rrëzua me një diferencë të ngushtë prej 50 votash kundër dhe 49 votash pro.
Sipas raportimeve, votimi ndoqi kryesisht vijat partiake, ku shumica e senatorëve republikanë mbështetën qëndrimin e Presidentit Donald Trump. Megjithatë, Gazeta Sinjali raporton se katër senatorë republikanë, Susan Collins, Lisa Murkowski, Rand Paul dhe Thom Tillis, votuan pro rezolutës, ndërsa senatori demokrat John Fetterman ishte i vetmi nga partia e tij që votoi kundër.
Pas përfundimit të seancës, senatori demokrat Ron Wyden deklaroi se përpjekjet për të kufizuar veprimet ushtarake do të vazhdojnë, duke shtuar se sfida më e madhe mbetet bindja e senatorëve që shfaqen të kujdesshëm ndaj autoritetit kushtetues. Nga ana tjetër, senatori republikan Dan Sullivan shprehu kundërshtinë e tij, duke argumentuar se një rezolutë e tillë mund të çonte në tërheqjen e forcave amerikane nga rajoni, veprim që sipas tij nuk duhet ndërmarrë kur trupat janë në terren. Një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, i identifikuar si Kim, komentoi më herët se opinioni amerikan është shprehur i lodhur nga angazhimet ushtarake të konsideruara të kushtueshme.