Donald Trump, presidenti i Shteteve të Bashkuara, deklaroi se vendi i tij ka dërguar forca të shumta detare drejt Iranit për t’u përgatitur për çdo skenar, përfshirë ndërhyrje ushtarake nëse situata e kërkon.
Deklarata u bë gjatë një prononcimi për gazetarët në bordin e avionit Air Force One, ndërsa Trump kthehej në SHBA pas pjesëmarrjes në konferencën ekonomike në Davos të Zvicrës.
“Kemi shumë anije që po shkojnë në atë drejtim, për çdo rast. Do të preferoja të mos ndodhte asgjë, por po i vëzhdojmë nga shumë afër”, u shpreh ai.
Paralajmërimet ndaj Iranit
Presidenti amerikan përsëriti paralajmërimet ndaj Teheranit, duke kërkuar që Irani të mos rifillojë programin bërthamor dhe të ndalojë ekzekutimet e personave të arrestuar gjatë protestave të fundit kundër regjimit.
Tensionet në Lindjen e Mesme u përshkallëzuan në fillim të këtij muaji, kur Trump la të kuptohej se SHBA-ja mund të ndërhyjë. Në atë kohë, autoritetet iraniane nisën një goditje të ashpër për të shtypur protestat masive, më të mëdhatë në vitet e fundit.
Sipas Balkan Web, Trump shkroi në mediat sociale se “Ndihma është rrugës”, duke theksuar gatishmërinë për ndërhyrje.
Përditësime
USS Abraham Lincoln u zhvendos nga Deti i Kinës Jugore drejt Lindjes së Mesme bashkë me grupin sulmues javën e kaluar.
Donald Trump deklaroi se "ndoshta nuk do të ketë nevojë ta përdorim" dhe shprehu gatishmërinë për bisedime me Teheranin.
Një zyrtar iranian anonim deklaroi për Reuters se po përgatiten për skenarin më të keq, paralajmërojnë për "luftë totale" dhe ushtria është në gatishmëri maksimale.