Sot, në Uashington DC, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të marrë pjesë në festimet për 250-vjetorin e pavarësisë së vendit. Aktiviteti, i cili është cilësuar nga presidenti si një “tubim spektakolar”, organizohet përmes një partneriteti mes sektorit privat dhe Shtëpisë së Bardhë.
Programi parashikon fluturime ajrore të avionëve ushtarakë dhe civilë çdo orë, nga ora 13:15 deri në perëndimin e diellit, ku do të jetë i pranishëm edhe avioni presidencial Air Force One. Festimet zyrtare pritet të nisin në orën 19:00, pas të cilave presidenti Trump do të mbajë një fjalim. Më pas, do të zhvillohet shfaqja e fishekzjarrëve, e cila synon të jetë më e madhja në histori, me rreth 850,000 fishekzjarre që do të lëshohen nga 10 pika të ndryshme, përfshirë lumin Potomac. Kjo shfaqje parashikohet të zgjasë 40 minuta, duke tejkaluar ndjeshëm traditën vjetore që përfshin zakonisht 20,000 fishekzjarre, me objektivin për të thyer Rekordin Botëror Guinness.
Ngjarja është përballur me reagime të ndryshme. Kundërshtarët politikë e kanë akuzuar Donald Trump për politizim të festës kombëtare, çka ka çuar në tërheqjen e disa grupeve muzikore nga pjesëmarrja. Përveç polemikave, organizatorët po përballen me vështirësi logjistike për shkak të motit. Temperaturat në kryeqytet pritet të arrijnë në 38°C, të shoqëruara me lagështi të lartë, ndërsa meteorologët kanë paralajmëruar edhe mundësinë e stuhive në mbrëmje, të cilat mund të ndikojnë në ecurinë e ceremonive.
Përditësime
Gjatë festimeve të 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së, Presidenti Donald Trump shpalli atë që e cilësoi si 'agimi i epokës së artë të Amerikës'. Ceremonia, e cila u zhvillua paralelisht me aktivitetet zyrtare të Kongresit, u mbyll në orën 01:00 pas mesnate për shkak të vonesave nga stuhia. Në fjalimin e tij, Trump riafirmoi mbrojtjen e të drejtës së armëmbajtjes, kundërshtimin ndaj komunizmit dhe avancimin e Aktit 'Shpëtoni Amerikën'. Ngjarja u shoqërua me një shfaqje teknologjike përmes dronëve, avionëve dhe fishekzjarrëve.