Shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Komisionin Europian foli në seancën e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian më 26 shkurt 2026. Ajo vlerësoi se polarizimi politik në Tiranë po kufizon mbikëqyrjen parlamentare.
Zyrtarja e Komisionit Europian deklaroi se raporti thekson saktë rëndësinë e zbatimit të reformës zgjedhore dhe trajtimit të polarizimit politik. Ajo nënvizoi rëndësinë e rolit të kësaj Dhome në përcjelljen e mesazheve te partitë politike. Sa i përket sundimit të ligjit, ajo mirëpriti mesazhet për forcimin e mëtejshëm të gjyqësorit, çështje për të cilën Komisioni Europian ka punuar intensivisht me autoritetet shqiptare, jo vetëm në kuadër të negociatave, por edhe gjatë vitit e gjysmë të fundit.
Ajo përmendi luftën kundër korrupsionit, përfshirë korrupsionin në nivele të larta, si element thelbësor për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në lidhje me reformën e administratës publike, raporti bën thirrje për planifikim strategjik dhe koordinim, veçanërisht në kontekstin e negociatave në vijim, të cilat kërkojnë koordinim intensiv ndërmjet departamenteve të ndryshme në administratë dhe qeverinë shqiptare.