Agron Shehaj, kryetar i Partisë Mundësia, deklaron se dërgimi në gjykatë i dosjes për hyrjen në emailat e dy prokurorëve të SPAK-ut ka zbuluar biseda të reja përgjimi. Sipas tij, këto përgjime tregojnë se dy zyrtarë të lartë të administratës së Edi Ramës kanë hakeruar emailat për të marrë dosje hetimore dhe për t’i dërguar kryeministrit.
Në bisedat e përgjira, njëri nga zyrtarët shprehet: “Shpresoj që të shkarkojë dosjet se do t’ia dërgoj Edi Ramës dhe do t’i thyejmë në mes prokurorët.” Shehaj thekson se gjuha e përdorur është fyese, por thelbi është përpjekja për të marrë informacion mbi hetimet ndaj Ahmetaj, Erion Veliaj, Gjiknuri dhe Ulsi Manja.
Sipas Shehaj-it, ngjarja lidhet me shkurtin e vitit të kaluar, afër zgjedhjeve, kur mazhoranca synonte të ndalonte hetimet ndaj zyrtarëve të akuzuar për korrupsion. Ai vlerëson se kjo dëshmon ushtrimin e presionit ndaj drejtësisë nga administrata.
Shehaj bën thirrje për mbështetje ndaj drejtësisë duke ftuar qytetarët të firmosin deklaratën në mbrojtje të saj. 100 mijë firma do të dërgohen në Kongresin Amerikan dhe Parlamentin Europian për të kërkuar fundin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri.