Të paktën 10 punonjës të FBI-së, të përfshirë në hetimin e ish-këshilltarit special Jack Smith ndaj presidentit amerikan Donald Trump, u shkarkuan nga puna të mërkurën, sipas CBS News.
Shkarkimet vijnë pasi Reuters raportoi se FBI-ja kishte kërkuar të dhëna mbi thirrjet telefonike të Kash Patel-it, drejtor aktual i FBI-së, dhe Susie Wiles-it, shefje e shtabit të Shtëpisë së Bardhë, kur ata ishin ende qytetarë privatë. Këto veprime supozohet të kenë qenë pjesë e hetimit për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara nga Trump pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në 2021.
Patel pretendoi se FBI-ja kishte marrë fshehurazi të dhënat e tij telefonike duke përdorur pretekste të dobëta dhe duke i fshehur në dosje të mbyllura për të shmangur mbikëqyrjen. Reuters thekson se nuk i ka verifikuar në mënyrë të pavarur këto pretendime dhe Patel nuk ka dhënë prova për shkelje nga stafi i shkarkuar.
Jack Smith mbikëqyri dy hetime federale ndaj Trump-it: njëri për përpjekje të pretenduara për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të 2020-s dhe tjetri për dokumentet e klasifikuara. Këto hetime çuan në paditë e para penale federale kundër një ish-presidenti në historinë e SHBA-së.
Në mesin e 2024-s, një gjyqtar federal në Florida rrëzoi çështjen e dokumenteve duke arsyetuar se emërimi i Smith-ut ishte i paligjshëm. Smith hoqi akuzat për zgjedhjet pas fitores së Trump-it në zgjedhjet e 2024-s.
Smith njihet gjithashtu për ngritjen e aktakuzave ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale të Hagës, ku shërbeu si kryeprokuror nga shtatori 2018.