Ilir Proda u shkarkua nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, rreth një vit e gjysmë pasi u emërua në krye të institucionit.
Vendimi erdhi pak orë pas protestës së opozitës në Tiranë më 28 shkurt 2026, e dyta radhazi ku Policia nuk garantoi rendin dhe sigurinë për shkak të akteve të dhunës, përfshirë përdorimin e molotovëve.
Në motivacionin e shkarkimit thuhet se Policia nuk siguroi rendin gjatë tubimit, duke vënë në rrezik jetën e shtetasve të huaj që jetojnë në kryeqytet, si dhe të qytetarëve, protestuesve dhe përfaqësuesve të opozitës.
Gjatë protestës, e cila u zhvendos në disa pika, përfshirë selinë e Policisë së Shtetit dhe të asaj të Tiranës, forcat e policisë përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji. Raportohen të lënduar.
Në krye të Policisë së Shtetit u emërua përkohësisht Sokol Bizhga, i cili ka mbajtur të njëjtën detyrë më parë pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut në fund të vitit 2024.
Ora News raporton se vendimin e mori Kryeministri Edi Rama dhe se u shkarkua edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, për mosmarrjen e masave të duhura.
Proda ishte në qendër të akuzave të Partisë Demokratike për lidhje të dyshuara me krimin e organizuar, si lidhje direkte e Suel Çelës dhe Ergys Agasit, sipas opozitës.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera, ndërsa pritet zhvillime të mëtejshme për drejtimin e institucionit.