Në emisionin "Në Shënjestër" të transmetuar në News24, u publikua raporti i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB), i cili konstaton shkelje arbitrare të rregulloreve të brendshme në burgje.
Raporti thekson se shoqërimi në spital i të burgosurve me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe gjendje të mirë ekonomike dyshohet se kryhet për t’iu mundësuar atyre favore, kryesisht takime speciale, kundrejt dhënies së rryshfetit drejtuesve të institucioneve dhe personelit.
Në rastin e Altin Ndocit, raporti shpreh dyshime të arsyeshme për vizita fiktive në Spitalin Rajonal Durrës gjatë periudhës tetor 2025–janar 2026. Këto dyshime bazohen në rritjen e frekuencës së daljeve në një periudhë të shkurtër krahasuar me historikun e mëparshëm.
Procedura për vizita në spital
Për mundësimin e vizitave në spitalet rajonale kërkohet dakordësia e të gjithë personelit të angazhuar, duke përfshirë stafin e sektorit të shëndetësisë, sektorit të policisë dhe drejtorin e institucionit.
Verifikimet e SHKBB
Verifikimet tregojnë se daljet e Altin Ndocit nga IEVP në periudhën tetor 2025–janar 2026 nuk janë pasqyruar në komunikatën e aktivitetit ditor të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Gjithashtu, SHKBB nuk është informuar në Sistemin e Burgjeve për asnjë prej tyre.