Policia në Shtime ndëshkoi një shofer 19-vjeçar, i cili u kap duke drejtuar një automjet BMW me 193 km/h në rrugën “Tahir Sinani”, në drejtim të fshatit Gjurkoc. Në atë segment, kufizimi i shpejtësisë ishte 80 km/h. Sipas njoftimit të policisë, shoferi me inicialet D.Q. nuk iu bind urdhrit të zyrtarëve policorë për ndalim, por u identifikua më pas përmes kamerave të sigurisë.
Për tejkalimin e shpejtësisë, atij iu shqiptuan 500 euro gjobë, pesë pikë negative dhe ndalim i drejtimit të automjetit për gjashtë muaj. Për mosbindjen ndaj urdhrit policor, u gjobit edhe me 150 euro dhe iu regjistrua një pikë negative. Në total, gjobat arrijnë në 650 euro.
Policia Rajonale në Ferizaj u bëri thirrje shoferëve të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe urdhrat e zyrtarëve policorë. Në apelin e saj thuhet se shpejtësia e tepërt rrezikon drejtpërdrejt jetën e pjesëmarrësve në trafik.