Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar gjatë natës në Krujë, ku shënjestër ka qenë një automjet i tipit Fiat. Sipas informacioneve paraprake, sasia e tritolit ka qenë e vogël dhe e vendosur në pjesën e kofanos, duke shkaktuar vetëm dëme materiale pa të lënduar në njerëz.
Grupi hetimor ka sekuestruar pamjet nga kamerat e sigurisë së zonës, të cilat kanë fiksuar momentin kur autori ka vendosur lëndën plasëse dhe është larguar më pas në këmbë. Nga vëzhgimi i këtyre pamjeve, vihet re se autori ka qenë i veshur me rroba të errëta në një tentativë për të shmangur identifikimin.
Në dëshminë e tij dhënë për organet e rendit, pronari i automjetit, Dervish Guni, ka deklaruar se nuk ka dijeni për autorët dhe nuk është në dijeni të ndonjë konflikti që mund të ketë motivuar ngjarjen. Megjithatë, burime nga policia bëjnë me dije se hetimet po përqendrohen te pista e një konflikti të mundshëm për pronësinë, duke e trajtuar shpërthimin si një mesazh paralajmërues. Policia vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit.
Përditësime
Sipas raportimit të Top Channel, autori i sulmit me tritol ndaj automjetit në Krujë ka vepruar në orën 02:30, i maskuar në momentin e vendosjes së lëndës plasëse.