Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit, ka reaguar pas marshit protestues të zhvilluar sot në Prishtinë. Qytetarët u mblodhën për të shprehur mbështetjen për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit dënues të shpallur nga Gjykata në Hagë.
Në një reagim të saj, Shqipe Mehmeti Selimi ka shprehur mirënjohje për të gjithë qytetarët që iu bashkuan këtij marshi masiv. Ajo ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së të vërtetës lidhur me luftën çlirimtare. Për të ilustruar këtë qëndrim, deputetja solli në vëmendje protestën studentore të 1 tetorit 1997, duke e vlerësuar atë si një moment historik kur zëri i studentëve u shndërrua në zërin e lirisë për popullin e Kosovës.
Sipas Selimit, thirrja e sotme për drejtësi vazhdon të njëjtën frymë të kërkesave për liri, duke e ndërlidhur simbolikisht datën e sotme me ngjarjet e vitit 1997. "1 Tetori na kujton protestën studentore të vitit 1997, kur zëri i studentëve u bë zëri i lirisë. Sot, falënderoj të gjithë pjesëmarrësit e marshit në mbrojtje të UÇK-së dhe të vërtetën e luftës sonë çlirimtare. Nga 1 Tetori i studentëve, te zëri i sotëm për drejtësi", ka shkruar ajo në mesazhin e saj.