Besimtarët bektashinj në Shqipëri dhe botë festojnë sot, më 22 mars, Ditën e Sulltan Nevruzit. Kjo ditë shënon fillimin e vitit të ri bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Sipas traditës, ajo cilësohet si dita e fisnikërisë bektashiane dhe e ringjalljes së madhe, kur lind shpresa për një të ardhme më të mirë dhe natyra mbushët me lule dhe gjallesa të reja.
Sulltan Nevruz do të thotë ditë e re dhe kremtohet si ditë e pranverës nga bektashinjtë në 33 vende të botës. Në Shqipëri, kjo festë, më e rëndësishmja e bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.
Prania dhe përhapja
Bektashinjtë janë të vendosur kryesisht në jugun e Shqipërisë, me shtrirje në të gjithë vendin, si dhe në Kosovë e Maqedoni, ku bashkë me suninjtë përbëjnë popullsinë shqiptare myslimane.
Historia e bektashizmit
Bektashizmi, urdhër fetar islamik me filozofi të veçantë, u krijua në Anadoll në shekullin XIV nga Haxhi Bektash Beliu. Depërtoi në Shqipëri me pushtimin osman në qytete si Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë e Frashër. Ai u përhap te popullsia shqiptare e pakënaqur nga reformat e Portës së Lartë, pasi kleri bektashi përkrahu lëvizjet popullore kundër pushtetit osman.
Kontributi në çështjen kombëtare
Përfaqësuesit e bektashizmit dhanë ndihmë të madhe në Rilindjen Kombëtare, Pavarësi e Luftën për Çlirim. Midis tyre dallohen Baba Alushi i Frashërit e Baba Hyseni i Melçanit. Teqetë e tyre u shndërruan në qendra të lëvizjes kombëtare. Pas Kongresit të Lushnjës, bektashizmi u njoh si komunitet fetar i pavarur. Në vitin 1924, selia botërore u zhvendos në Tiranë. Regjimi komunist e ndaloi veprimtarinë në 1967, por ajo rifilloi në 1991.