Shqipëria pritet të shënojë një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian përmes Konferencës Ndërqeveritare që do të zhvillohet më 14 korrik në Bruksel. Në këtë takim do të formalizohet mbyllja e tre kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim, të cilët vlerësohen nga institucionet europiane si fusha ku vendi ka arritur përputhje të plotë me standardet e unionit:
• Kapitulli 25: Shkenca dhe kërkimi shkencor
• Kapitulli 26: Arsimi dhe kultura
• Kapitulli 30: Marrëdhëniet me jashtë
Sipas agjendës së njoftuar, konferenca do të nisë në orën 19:00 në Këshillin e Bashkimit Europian. Kryeministri Edi Rama do të mbajë një fjalë përpara përfaqësuesve të vendeve anëtare, së bashku me ministrin e Jashtëm të Irlandës dhe komisioneren europiane Marta Kos. Mbyllja e këtyre kapitujve përkon me presidencën irlandeze të Këshillit të BE-së, e cila do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2026.
Në përfundim të takimit, rreth orës 20:00, është parashikuar mbajtja e një konference për shtyp. Qeveria shqiptare ka vënë si objektiv përmbylljen e fazës teknike të negociatave brenda vitit 2027. Pas kësaj, procesi do të kalojë në vendimmarrje politike, e cila kërkon miratimin nga parlamentet e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Para mbërritjes në Bruksel, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë në Paris më 13 korrik, me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron. Axhenda e tij në kryeqytetin francez përfshin një darkë pune lidhur me mbështetjen për Ukrainën, si dhe pjesëmarrjen në paradën ushtarake në mëngjesin e datës 14 korrik.