Ekosistemi shqiptar i inovacionit po merr pjesë në edicionin e vitit 2026 të festivalit të njohur europian të sipërmarrjes, Bits & Pretzels, që zhvillohet në Mynih të Gjermanisë. Shqipëria këtë vit gëzon statusin e vendit partner, duke prezantuar 17 startup-e nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, të cilat operojnë kryesisht në sektorët e sigurisë kibernetike, inteligjencës artificiale dhe edukimit.
Në kuadër të këtij eventi, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një takim me Dr. Fabian Mehring, ministër Shtetëror i Bavarisë për Çështjet Digjitale dhe Drejtues i Teknologjisë së Informacionit. Diskutimet u përqendruan te mundësitë për një bashkëpunim më të ngushtë ndërqeveritar për zhvillimin e inovacionit, si dhe te krijimi i lidhjeve konkrete ndërmjet kompanive gjermane dhe startup-eve shqiptare.
Sipas Ibrahimaj, përzgjedhja e këtyre sektorëve nuk është rastësore, pasi ata përfaqësojnë fushat më të kërkuara në tregjet ndërkombëtare. Qëllimi është që këto sipërmarrje të ndajnë idetë e tyre dhe të tërheqin financime të nevojshme për tregun shqiptar, duke e vendosur Shqipërinë në hartën globale të inovacionit.
Promovimi i ekosistemit shqiptar në këtë festival është një nismë e ndërmarrë nga Startup Albania dhe EU4Innovation (GIZ). Pjesëmarrja në Bits & Pretzels pason një sërë prezantimesh të mëparshme të startup-eve shqiptare në aktivitete ndërkombëtare si ITB Berlin, VivaTech dhe Slush, duke treguar një përpjekje të vazhdueshme për konsolidimin e ekosistemit vendas dhe integrimin e tij me rrjetet europiane të investimeve. Ky festival pritet të mbledhë rreth 7,500 themelues, investitorë dhe drejtues të industrisë nga mbarë bota.