Sipas relacionit të projektbuxhetit, Shqipëria synon të presë 15,5 milionë shtetas të huaj në vitin 2027 dhe 16 milionë deri në vitin 2029. Politikat për periudhën afatmesme 2027–2029 synojnë kalimin nga turizmi sezonal në një ofertë turistike gjatë gjithë vitit.
Kontributi i turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PPB) parashikohet të stabilizohet në nivelin 33% gjatë viteve 2027–2029, nga 26,4% në vitin 2025. Punësimi në sektorin turistik pritet të rritet nga 8,6% në vitin 2026, në 8,7% në vitin 2027 dhe në 8,8% gjatë viteve 2028–2029.
Kapacitetet akomoduese pritet të zgjerohen nga 2 100 njësi në vitin 2027 në 2 150 njësi deri në vitin 2029. Në agroturizëm, numri i bizneseve të licencuara parashikohet të rritet nga 400 në vitin 2027 në 650 në vitin 2029.
Për flukset ndërkombëtare, dokumenti parashikon që numri i shtetasve të huaj që hyjnë në vend të arrijë në 15,5 milionë në vitin 2027 dhe në 16 milionë deri në vitin 2029. Vizitorët në sitet kulturore synohet të arrijnë në 950 mijë në vitin 2027 dhe 980 mijë në vitin 2029. Objektivat synojnë forcimin e rolit të turizmit në ekonominë shqiptare, diversifikimin e ofertës dhe shtrirjen e aktivitetit përgjatë gjithë vitit, si dhe nxitjen e punësimit e të zhvillimit ekonomik në rajone të ndryshme të vendit.
Përditësime
Sipas relacionit të projektbuxhetit, vizitorët në sitet kulturore synohet të arrijnë në 950 mijë më 2027 dhe 980 mijë më 2029.