Shqipëria U-15 mposhti Bosnje-Hercegovinën 4-3 pasditen e 29 tetorit, në fazën e dytë të FIFA U-15 World Cup & Festival 2026, që po zhvillohet në Azerbajxhan. Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për ekipin e drejtuar nga trajneri Armand Dama.
Pas ndeshjes me Egjiptin, Shqipëria fitoi 4-1 ndaj Algjerisë dhe 2-1 ndaj Australisë, përpara se të mposhtte Bosnje-Hercegovinën. Kombëtarja U-15 do të luajë nesër ndeshjen e fundit të turneut kundër Perusë. Rezultati do të përcaktojë renditjen përfundimtare, me Shqipërinë që do ta mbyllë garën në vendin e 17-të ose të 18-të.
Pjesëmarrja në turne u jep futbollistëve të rinj mundësinë të fitojnë përvojë ndërkombëtare dhe të përballen me ekipe nga shkolla të ndryshme futbolli.
Rezultatet e Kosovës U-15
Kosova U-15, e drejtuar nga Ilir Nallbani, pësoi dy humbje të enjten në turneun që po zhvillohet në Azerbajxhan. Në çerekfinalen për renditjen e vendeve 97–104 të Nivelit D, Kosova u mposht nga Republika Dominikane pas gjuajtjeve të penalltive. Koha e rregullt përfundoi 1-1, ndërsa rezultati i penalltive ishte 3-2.
Më pas, në gjysmëfinalen për vendet 101–104, Kosova humbi 5-2 nga Lituania. Lituania kryesoi 5-0 në pjesën e parë, ndërsa Kosova shënoi dy gola në pjesën e dytë.
Ndeshjen kundër Lituanisë e ndoqi nga afër presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. Kosova do të luajë të premten kundër Burundit për vendin e 103-të, në orën 07:15. Në Nivelin D garojnë ekipet që përfunduan në vendin e katërt në grupet e fazës së parë.