Kombëtarja shqiptare e futbollit për moshën U-17 e ka nisur aventurën në raundin e dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian me një barazim 2-2 përballë Letonisë. Ndeshja, e luajtur në “Arena Egnatia” në Rrogozhinë, u karakterizua nga një lojë dinamike me ndryshim të herëpashershëm të rezultatit.
Skuadra letoneze gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e 2-të nëpërmjet Baltrušaitis. Shqipëria reagoi shpejt dhe barazoi shifrat në minutën e 19-të, kur Armend Muslika u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Në pjesën e dytë, kuqezinjtë rritën presionin dhe arritën të përmbysnin rezultatin në minutën e 81-të, sërish me Armend Muslika-n, autor i golit të dytë personal në këtë sfidë. Megjithatë, në minutën e 88-të, Blūms shënoi për Letoninë, duke vulosur rezultatin përfundimtar në 2-2.
Nën drejtimin e trajnerit Armand Dama, formacioni titullar përbëhej nga: Lleshi (GK), Amataj, Gashi (C), Malko, Nushi, Zekaj, Vata, Allasufi, Muslika, Matjani dhe Uldedaj.
Pas këtij barazimi, Shqipëria siguron pikën e parë në Grupin B6 të Ligës B. Ndeshja e radhës për kuqezinjtë është planifikuar të luhet më 9 qershor kundër Ukrainës, sërish në impiantin “Arena Egnatia”.